Përkufizimi dhe Shkaqet
Bursiti i shpatullës, i njohur gjithashtu si bursit subakromial ose bursit subdeltoid, është një nga shkaqet më të zakonshme të dhimbjes në pjesën e përparme dhe të sipërme të shpatullës.
Bursiti i shpatullës ashtu si të gjitha patologjitë që prekin këtë artikulacion të rëndësishëm, prek mbi të gjithë atletët që kryejnë lëvizje të përsëritura të krahut, si tenistë apo peshëngritës.
Bursa është një qese e vogël e mbushur me lëng, e vendosur brenda një nyjeje. Funksioni i saj kryesor është të zvogëlojë fërkimin gjatë lëvizjes, duke parandaluar dëmtimin e një muskuli ose tendini nga fërkimi me kockën.
Bursa subakromiale ndodhet midis muskulit supraspinatus, muskulit deltoid dhe procesit akromial të skapulës. Për shkak të lëvizjeve të përsëritura ose një traume të fortë, kjo qese mund të inflamohet, duke tërhequr ujë brenda. Kur bursiti i shpatullës shkaktohet nga një ndikim i dhunshëm ose shoqërohet me një dëmtim të tendinit, bursa subakromiale mund të mbushet me gjak.
Përsëritja e vazhdueshme e lëndimeve të vogla traumatike mund të çojë gjithashtu në një rritje kronike të madhësisë së bursës duke shkaktuar dhimbje që tenton të bëhet kronike pa iu përgjigjur terapive fizike dhe rehabilitimit.
Simptomat
Simptomat e bursitit të shpatullës janë të ngjashme me ato të shkaktuara nga inflamacioni i tendinit të një ose më shumë muskujve që përbëjnë manshetën rrotulluese. Këto dy gjendje shpesh ndodhin njëkohësisht dhe janë rezultat i të ashtuquajturës “sindroma e konfliktit”. Kur bursa subakromiale bymehet, ajo shtyp manshetën, duke ushtruar presion tek tendinat dhe duke shkaktuar acarim mekanik që çon në inflamacion.
Akumulimi i lëngjeve brenda bursës është përgjegjës për dhimbjen tipike që lind në pjesën e përparme të sipërme të shpatullës. Kjo dhimbje theksohet në palpim dhe tenton të kufizojë lëvizshmërinë e artikulacionit, duke i bërë lëvizjet të dhimbshme.
Diagnoza
Në këto raste Testi Neer është pozitiv (dhimbja shfaqet kur krahu është ngritur në mënyrë pasive përpara në rrafshin e skapulës). Palpimi i drejtpërdrejtë mbi bursën subakromiale është thelbësor për diagnozën (duke kërkuar ënjtje dhe dhimbje). Testet diagnostike të tilla si rrezet X dhe MRI ( Rezonanca ) nuk janë normalisht të nevojshme, por mund të kryhen për të përjashtuar çdo ndërlikim të tjera.
Kujdesi dhe trajtimi
Bursiti i shpatullës në përgjithësi i përgjigjet pozitivisht trajtimit me pushim dhe akull në fazën akute. Ilaçet anti-inflamatore gjithashtu janë treguar të jenë efektive në nxitjen e shërimit.
Pas kësaj faze të parë, 3-4 ditë pas traumës, personi mund të fillojë ushtrime të cilat kanë si qëllim shtimin e harkut të lëvizjes.
Nëse dhimbja vazhdon edhe pas kësaj faze, është mirë që të këshilloheni më një fizioterapist, i cili do t’iu ndihmojë në rehabilitimin dhe implementimin e një protokolli ushtrimesh të personalizuar të cilat kanë si fokus rikthimin e artikulacionit në gjendjen e mëparshme.