Cfare është iktusi (stroke)?
Iktusi është sëmundja neurologjike më e shpeshtë, emri i të cilës vjen nga latinishtja dhe do të thotë “goditje”. OBSH-ja (Organizata Botërore e Shëndetësisë) e përkufizon Iktusin si një humbje e funksionit të trurit me fillim të shpejtë, simptomat e së cilës zgjasin të paktën 24 orë dhe i atribuohen ekskluzivisht shkaqeve të natyrës vaskulare. Është e rëndësishme kohëzgjatja e më shumë se 24 orë e simptomave, kjo për ta dalluar nga sulmi ishemik kalimtar(TIA).
Ekziston dhe një sëmundje tjetër neurologjike që ka fillim të papritur dhe ajo është epilepsia. Kjo sëmundje në ndryshim nga goditja në tru nuk ka origjinë vaskulare, të paktën jo zakonisht.
Llojet e iktusit
Origjina vaskulare do të thotë që vetë truri është i shëndetshëm dhe janë enët që çojnë gjakun në tru ato që janë të dëmtuara. Këto enë mund të shkaktojnë goditje në dy mënyra:
– Me një mbyllje të vetë enëve, pra me mungesë gjaku në tru; një ishemi → flasim për një iktus ishemik.
– Me këputje te këtyre enëve, pra me hemoragji që zgjerohet brenda parenkimës cerebrale → flasim për iktus hemorragjik.
Është e rëndësishme të merret parasysh kjo natyrë e dyfishtë e iktusit, sepse mjekët shpesh e konsiderojnë si ishemi dhe për këtë arsye pacienti merr antikoagulantë dhe agjentë antitrombocitar në dyshimin e një infarkti. Në fakt, të dyja duhet të merren parasysh. Kryesisht, në 75% të rasteve është ishemik, në 25% të rasteve është hemorragjik. Nuk ka asnjë mënyrë për të dalluar llojin e iktusit vetëm duke vizituar e duke e parë pacientin. E vetmja mënyrë për ta dalluar është përmes një skanimi CT të trurit. Tomografia cerebrale na lejon të dimë nëse është iktus ishemik apo hemorragjik. Kjo është një nga arsyet pse dërgohet menjëherë në spital një pacient me infarkt, ose sapo të ketë dyshime per një të tillë: sepse është e rëndësishme për të bërë një diagnozë të saktë dhe për rrjedhojë një terapi të saktë.
Shkaqet kryesore të iktusit ishemik
-Tromboza(mpiksje gjaku): Vjen si pasojë e arterosklerozës.
-Iktusi kardioembolik: Një lloj tjetër iktusi ishemik që shkaktohet nga prania e një trupi të huaj, i cili quhet embolia.
-Disekcioni arterial: Fenomen me origjinë post traumatike.
Shkaqet kryesore të iktusit hemorragjik
-Ndryshime në murin e arterieve:
* Keqformimi arterovenoz.
* Prezenca e sëmundjeve që shkaktojnë dobësi të mureve te enëve të gjakut , si angiopatia amieloide, një sëmundje që kryesisht kap moshën e tretë.
*Ipertensioni arteroz.
*Ndryshime në koagulimin e gjakut; koagulim i dobët i gjakut.
Si bëhet diagnoza e iktusit ishemik dhe atij hemorragjik?
Për të diagnostifikuar iktusin mbi të gjitha duhet klinika, që do të thotë se duhet një deficit i cili vjen në mënyrë të papritur. Pasi të kemi klinikën, mund të konfirmojmë më tej diagnozën e iktusit nëpërmjet neuro-imazheve. I pari ndër neuro-imazhet është CT e trurit, e cila na bënë të mundur të shikojmë kryesisht dy aspekte:
– Nëse jemi në prani të një iktusi hemorragjik, CT e trurit na tregon hemorragjinë në formën e një zone të hiper-dendur, e cila shfaqet e bardhë. Kjo është një diagnozë e cila na jep siguri se kemi të bëjmë me iktus hemorragjik sepse shohim gjakderdhjen. Në këtë rast flasim për diagnozë konfirmuese.
– Nëse jemi në prani të një goditjeje ishemike, ndodh një gjë e veçantë, CT-ja e trurit nuk tregon asgjë, domethënë është normale. Kjo ndodh për shkak se ndryshimet e goditjes ishemike, bëhen të dukshme në skanimin CT vetëm pas 12 deri në 24 orë. Prandaj, është krejtësisht normale të kesh një pacient i cili klinikisht ka iktus, por që ka një skanim normal të trurit CT. Në këtë rast diagnoza nuk është konfirmuese, por përjashtuese, përjashtohet mundësia që kjo goditje të jetë hemorragjike.
Në rastet kur kemi dyshime mund ta thellojmë pamjen me një MRI, e cila na tregon menjëherë ndryshimet e goditjes ishemike.