Përmbledhje
Këputja apo carja e meniskut është një nga dëmtimet më të shpeshta të gjurit, veçanërisht te sportisët, por mund të shkaktohet nga çdo aktivitet që mund të shkaktojë një rrotullim të detyruar ose përdredhje të kyçit, veçanërisht nëse trupi rëndon mbi këmbën duke parandaluar këmbën që të ndjekë gjurin në rrotullim. Në këto raste flasim për këputje me origjinë traumatike.
Pak Anatomi
Arikulacioni i gjurit është artikulacioni më i madhë në trupin e njeriut dhe formohet nga bashkimi i tre kockave:
femuri (kofshë),
tibia (kërciri),
patella (ose kupa e gjurit).
Çdo gju është i pajisur me dy meniskë, struktura kërcore në formë C, të cilat veprojnë si amortizues midis këmbës dhe kofshës (pra përkatësisht midis tibias dhe femurit) për të zbutur goditjet e shkaktuara nga ecja dhe vrapimi; këto janë struktura rezistente, të cilat ndihmojnë në ruajtjen e qëndrueshmërisë së kyçit.
Lëndimi i meniskut
Ekziston një lloj dëmtimi jotraumatik që mund të shkaktojë çarje të meniskut, i cili ndodh për shkak të një degjenerimi progresiv të indit që bëhet më i brishtë dhe më pak elastik me kalimin e moshës; në këtë rast, edhe lëvizjet më banale mund të shkaktojnë thyerjen e strukturës.
Simptomat më të zakonshme të këputjes së meniskut janë:
Dhimbje,
Ënjtje,
Ngurtësi,
Shpesh pamundësia për të zgjatur plotësisht gjurin.
Në rastet e dëmtimeve më të rënda, mund të preken edhe struktura të tjera kyçe të gjurit, si ligamentet (tipik është rasti i këputjes së njëkohshme të meniskut dhe ligamentin të kryqezuar anterior ACL).
SHKAQET
Në shumicën e rasteve, menisku pëson këputje gjatë sportit, për shembull kur luani futboll ose ski, si pasojë e traumave gjatë lëvizjeve përdredhëse; shumë më të rralla janë episodet e lëndimeve pas hiperfleksionit ose hiperekstensionit (për shembull kur shkelmoni bosh), ose edhe në rastin e kontaktit të drejtpërdrejtë.
Duke e zhvendosur fokusin tek personat e moshuar, gjasat për të pësuar lëndime të meniskut gjatë aktiviteteve të përditshme rriten ndjeshëm, për shkak të degjenerimit fiziologjik që pëson indi i kyçeve.
Faktoret e rrezikut
Përsa i përket këputjeve traumatike, të rinjtë (10-45 vjeç) që ushtrojnë sport janë në rrezik më të madh.
Në lidhje me rupturat degjenerative, nga ana tjetër, rreziku rritet proporcionalisht me moshën, nga 40 vjeç e lart.
Në persoant e moshës së tretë është e zakonshme të identifikohen ngjarje të shumta të këputjes së meniskut në persona që kanë punuar për një kohë të gjatë në gjunjë ose në pozicion gjysmë të përkulur.
SIMPTOMAT
Simptomat e dëmtimit të meniskut varen nga lloji dhe vendndodhja e këputjes, në shumë raste nuk mund të shfaqen simptoma (veçanërisht pas këputjeve degjenerative dhe në mungesë të dëmtimeve të tjera), veçanërisht në fazat e hershme.
Në rastin e këputjeve traumatike, simptomat më të zakonshme të dëmtimit të meniskut janë:
dhimbje (e cila përkeqësohet duke zgjatur këmbën ose duke ngarkuar peshë gjatë vrapimit),
ënjtje,
ngurtësi e kyçeve (nuk është e mundur të lëvizësh gjurin lirshëm).
Në rast të këputjes së meniskut, nuk është e pazakontë të perceptohet një kërcitje e vërtetë, megjithatë në fillim dhimbja mund të jetë e durueshme, duke e lejuar atletin të përfundojë aktivitetin në zhvillim (por më pas, brenda 2-3 ditëve gjuri do të fillojë të shfaq simptoma).
Në mungesë të trajtimit, një pjesë e meniskut mund të shkëputet dhe të gjendet e lirë në artikulacion, kjo mund të shkaktojë rrëshqitje, kërcitje ose bllokime të gjurit.
KUR DUHET TË THIRRET MJEKU
Kontaktoni mjekun tuaj nëse gjuri juaj është i lënduar ose i fryrë ose nuk jeni në gjendje ta lëvizni atë si zakonisht.
RREZIQET
Një menisk i këputur mund të favorizojë përparimin e fenomeneve artrozike, të aftë për të prishur gradualisht kërcin e kyçit.
DIAGNOZA
Pas një dëmtimi të gjurit është e nevojshme të konsultoheni me një mjek për një diagnozë të saktë; gjatë vizitës së parë do të kryhet:
Anamneza, d.m.th. mbledhja e të dhënave kryesore të pacientit (simptomat për të cilat ankohet, historia klinike, gjendja shëndetësore, faktorët e rrezikut, modaliteti i shfaqjes së dhimbjes, …),
Ekzaminim fizik, i cili përfshin një inspektim të kujdesshëm të gjurit, duke kërkuar për pikat e fillimit të dhimbjes dhe kryerjen e testeve specifike për të evidentuar një dëmtim të meniskut.
Ekzaminimet Instrumentale
Për shkak se të njëjtat simptoma mund të shkaktohen nga probleme të tjera të gjurit, mjekët mund të urdhërojnë teste imazherike për të konfirmuar diagnozën.
Radiografia: megjithëse rrezet X nuk tregojnë çarje të meniskut, ato mund të nxjerrin në pah shkaqe të tjera të dhimbjes së gjurit, siç është osteoartriti.
Imazhe me rezonancë magnetike (MRI): kjo teknikë gjeneron imazhe më të mira të indeve të buta të nyjës së gjurit, duke përfshirë meniskët.
Artroskopia: në rastet më të thjeshta është e mundur të vazhdohet me artroskopinë e gjurit, e cila lejon konfirmimin e diagnozës dhe riparimin e njëkohshëm të dëmtimit.
KUJDESI DHE TERAPIA
Në raste më të thjeshta, trajtimi RICE, nga anglishtja Rest-Ice-Compression-Elevation, shpesh është më se i mjaftueshëm për të nxitur shërimin e shpejtë të meniskut të këputur:
Pushimi: Shmangni aktivitetet që përkeqësojnë dhimbjen e gjurit, veçanërisht ato që mund të shkaktojnë përdredhje.
Akulli: Akulli mund të zvogëlojë dhimbjen dhe ënjtjen e gjurit. Zakonisht kryhen seancat prej rreth 15 minutash, të cilat duhet të përsëriten çdo 4-6 orë për një ose dy ditë, pastaj sipas nevojës.
Komprimimi: fashimi i gjurit për të favorizuar uljen e ënjtjes.
Ngritja: Gjumi duke ngritur këmbët në lidhje me lartësinë e gjoksit favorizon kthimin venoz të gjakut në zemër, kjo lejon një qarkullim më të mirë, të aftë për të ulur ënjtjen e akumuluar.
Rekomandohet gjithashtu që të mos ekspozohet nyja ndaj burimeve të tepërta të nxehtësisë, duke shkaktuar vazodilim (zgjerim të enëve të gjakut) dhe mund të përkeqësojë inflamacionin dhe dhimbjen.
Së fundi, mjekët mund të përdorin përshkrimin e anti-inflamatorëve që mund të ndihmojnë në lehtësimin e dhimbjeve të gjurit; një opsion trajtimi përfaqësohet nga infiltrimi i acidit hialuronik, për të nxitur lubrifikimin e kyçeve.
Mënyra e jetesës
Një rol vendimtar si në aspektin parandalues ashtu edhe në atë të trajtimit është ai që luan pesha trupore; sidomos në rastet e paoperueshme, ulja e peshës është një kusht thelbësor për të reduktuar inflamacionin dhe dhimbjen.
Mund të jetë gjithashtu e nevojshme të modifikohet aktiviteti sportiv i praktikuar, duke preferuar sportet, lëvizjet e të cilave nuk e stresojnë tepër gjurin.
Fizioterapia
Fizioterapia luan një rolë shumë të rëndesishëm në dëmtimet e meniskut. Pavarësisht llojit të dëmtimit, kryerjes së kirurgjisë apo jo, cdo person do të ketë nevojë për një rehabilitim fizioterapeutik.
Në rastet kur zgjidhet trajtimi konservativ ( pra pa kirurgji ) për rehabilitimin e meniskut, fizioterapia luan një rolë akoma edhe më të rëndësishëm për rekuperimin e dëmtimit të meniskut.
Ndërhyrja kirurgjikale
Nëse gjuri mbetet i dhimbshëm, i ngurtë ose i bllokuar, ose kur simptomat nuk regresojnë spontanisht, mund të jetë e nevojshme të drejtoheni në kirurgji, megjithëse literatura shkencore nuk e demonstron pa mëdyshje efektivitetin e tij (veçanërisht në rastin e këputjeve degjenerative); nga pikëpamja e përgjithshme, qasja aktuale parashikon ndërhyrje më shpesh në rastet e pacientëve të rinj, ndërsa një qasje më konservative preferohet shpesh për meniskopatitë që shfaqen në moshat më të avancuara.
Një nga arsyet që qëndron pas këtij arsyetimi është se te pacientët e moshuar lezioni është zakonisht për shkak të fenomeneve degjenerative dhe përvoja tregon se operacioni i menisektomisë mund të përshpejtojë procesin e artritit (zhvillimin e artrozës).
Një publikim i kohëve të fundit thekson gjithashtu se “ndërsa menaxhimi konservativ ( pa kirurgji ) ruan rolin e tij dhe mund të indikohet në rastet e osteoartritit të avancuar ose në pacientët me lezione të vogla, menisektomia e pjesshme vazhdon të jetë procedura më e kryer për çarjet e meniskut.
Por duke qënë se rezultatet afatgjata pas një heqje të pjesshme të meniskut (menisektomi parciale) nuk janë të kënaqshme, kirurgët priren te zgjedhin opsionin e riparimit të meniskut.
Riparimet e meniskut janë rritur gjatë tre dekadave të fundit dhe janë dëshmuar të jenë një alternativë e preferueshme ndaj menisektomisë së pjesshme. Prandaj rekomandohet gjithnjë e më shumë që të tentohet riparimi i meniskut në të gjitha lëndimet e riparueshme, veçanërisht në pacientët e rinj dhe fizikisht aktivë. Implantet e meniskut të pjesshëm kanë treguar gjithashtu rezultate të shkëlqyera në studimet afatgjata, por efikasiteti i tyre në kushtet akute kërkon ende kërkime të mëtejshme.
Kirurgjia është përgjithësisht minimalisht invazive sepse kryhet në mënyrë artroskopike, sipas teknikave të ndryshme në varësi të situatës, por për këtë arsye zakonisht përfshin zgjedhjen midis :
- riparimin e dëmtimit, për të reduktuar rrezikun e fenomeneve artrozike,
- heqja minimale e indit të meniskut (një menisk i dëmtuar dhe i pa riparueshëm nëse lihet në vend mund të krijojë pengesa në vetë artikulacionin).
Vendimi përfundimtar është padyshim i kirurgut, duke marrë parasysh edhe vendin e saktë të lezionit; shumica e lezioneve janë të vogla dhe zhvillohen në një zonë pa furnizim të shumtë me gjak, gjë që është thelbësore për procesin e riparimit. Në këtë rast, përgjithësisht zgjidhet një “menisektomi e pjesshme”, duke hequr pjesën e dëmtuar dhe duke lejuar pjesën e mbetur të kryejë funksionin e saj. Nëse lezioni është më i gjerë dhe përfshin një zonë më të madhe, në përgjithësi është e preferueshme të zgjidhni për riparim.
Pas operacionit, rehabilitimi është vendimtar për rikuperimin e duhur.
Kohëzgjatja varet nga lloji i dëmtimit, teknika e operacionit dhe gjendja e përgjithshme shëndetësore e pacientit (si dhe karakteristikat e tij, si pesha e saktë e trupit).
Në përgjithësi, pacienti është në gjendje të ecë përsëri brenda pak ditësh, por kjo nuk përjashton nevojën për t’iu drejtuar një rehabilitimi fizioterapeutik.
Në rast menisektomie totale ose të pjesshme, kohëzgjatja është më e shkurtër:
1-2 ditë për të ecur përsëri,
2-4 javë për të rifilluar aktivitetet.
Në rast të qepjes së meniskut (riparimi i meniskut):
- është e nevojshme të ecni me një mbajtës të veçantë për rreth 20 ditë,
- shmangni çdo ngarkesë për rreth një muaj
Në përgjithësi, plagët e mbetura janë minimale (2 ose 3 prerje rreth 1 cm të gjata).
PARANDALIMI
Këputja e meniskut është një dëmtim mjaft i zakonshëm tek njerëzit që merren me sport, veçanërisht kur bëhet fjalë për futbollin, futbollin amerikan, hokej mbi akull dhe tenisin. Për të zvogëluar rrezikun e lëndimit, këshillohet:
Programoni rregullisht ushtrime specifike që synojnë rritjen e forcës dhe elasticitetit të muskujve të këmbës. Përgatitja më e mirë që mund të bëhet për parandalimin e dëmtimit të meniskut.
Përdorni gjithmonë veshje dhe aksesorë specifikë (për shembull, këpucë me thumba për ata që luajnë futboll, për të përmirësuar stabilitetin dhe ekuilibrin).
Kujdesuni për teknikën që qëndron në themel të gjestit atletik (për shembull, si të rrotulloheni siç duhet me trupin) për të shmangur mbingarkesën e nyjeve të gjurit dhe meniskët përkatës.